Rusi, në shënjestër zyrtarët e korruptuar

05/12/2012 18:15

Në Rusi vazhdon fushata anti-korrupsion e Kremlinit. Nga janari në këtë vend do të hyjë në fuqi një ligj i ri që përcakton kontrollin mbi shpenzimet e funksionarëve publikë në të gjitha nivelet: qendror, vendor dhe federal.

Në shënjestër janë shpenzimet e luksit. Kush punon në një ministri dhe ka një “Ferrari”, shtëpi në det, helikopter, bizhuteri dhe objekte të tjera, do t’i duhet të provojë se vlera e tyre nuk kalon të ardhurat e tij dhe familjarëve.

Nëse zyrtari do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, atëherë do të shkarkohet nga detyra me “urdhër nga lart”, raportojnë agjencitë e huaja të lajmeve.

Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin shkarkoi ministrin e Mbrojtjes pasi u zbulua se dikasteri i tij ishte përfshirë në një skandal korrupsioni.

Anatoly Serdyukov u zëvendësua nga ministri i dikurshëm i Emergjencave dhe aleat besnik i Putin, Sergei Shoigu.

Agjencia kryesore hetimore ruse po hetonte shitjet e aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes me çmime poshtë vlerës së tregut. Presidenti Putin deklaroi se e kishte hequr zotin Serdyukov nga posti për të krijuar kushtet për një hetim të pavarur dhe transparent.

Një muaj më parë, hetuesit rusë kishin bastisur zyrat e një kompanie të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes nën dyshimin se u kishte shitur asete firmave tregtare me një vlerë që kishte shkaktuar 100 milionë dollarë humbje.

Megjithatë, ka shumë gjasa që ligji në fjalë të zbatohet në mënyrë selektive. Edhe motivet e vërteta të shkarkimit të Serdyukov dyshohet të kenë qenë përplasjet e tij me aleatët e kreut të Kremlinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA