Obama kryeson listën e “Forbes”

05/12/2012 23:20

Kur vjen fjala te pushteti, politika ia kalon biznesit, të paktën këtë tregon renditja e sivjetshme e Forbes-it, që 6 vendet e para të dhjetëshes më të fuqishme të botës, i ka zënë me krerë shtetesh.

I pari, në klasifikimin e revistës prestigjoze për 2012-tën, është Presidenti amerikan Barak Obama e pas tij vijnë me radhë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti rus Vladimir Putin, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite dhe Kryeministri britanik David Cameron.

Në listën e njerëzve më të fuqishëm të globit nuk mungojnë edhe emra nga biznesi, si Bill Gates, presidenti i rezervës federale Ben Bernanke apo kreu i Bankes Qëndrore Europiane, Mario Draghi.

Por, ndonëse shumicën e personave në listë e përbëjnë zyrtarë e biznesmenë, Forbes nuk ka lënë jashtë saj Papa Benedikti i XVI-të, të cilin e vendos të pestin në klasifikim.

Lista ka në total 71 emra dhe nuk mungojnë çudirat, siç është vendi i 63-të i zënë nga milioneri Joaquin Guzman Loera, i njohur ndryshe si “El Chapo”. Loera është kreu i kartelit meksikan Sinaloa dhe konsiderohet një prej trafikantëve më të mëdhenj të botës.

Mosha, nuk ështe as ajo pengesë për të qenë pjesë e renditjes së Forbes-it, siç e dëshmon qartë emri i themeluesit të Facebook-ut, 28-vjeçarit Mark Zuckerberg dhe ai i bosit 81-vjeçar të Neës Corporation, Rupert Murdoch, që mbajnë përkatësisht numrat 25 dhe 26 në renditje.

Për hartimin e listës, redaktorët e revistës e mbështesin përzgjedhjen e tyre në katër kritere:

– pushtet mbi një numër të madh njerëzish
– kontroll mbi financat dhe burime të tjera me vlerë
– pushtet në shumë sfera apo zona të ndryshme
– së fundi, përdorim aktiv të pushtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA