“Kosova dhe Serbia duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të hapin një kapitull të ri marrëdhëniesh si shtete të pavarura dhe sovrane, që respektojnë integritetin territorial dhe që respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të të dyja vendeve”.

Kështu ka deklaruar të mërkurën presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në takimin e kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka zhvilluar punimet në Budva të Malit të Zi.

Sipas raportimeve të së përditshmes “Express”, Jahjaga ka thënë se normalizimi më i shpejtë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të shtynte përpara axhendën evropiane të secilit vend.

Duke folur për marrëdhëniet rajonale, presidentja ka thënë se duhet intensifikuar bashkëpunimi në fushën e sigurisë, si dhe të ketë koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përkatëse, në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Samiti katërt i presidentëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Republikës së Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, nisi punimet të mërkurën në Budva të Malit të Zi, fillimisht me takimet bilaterale ndërmjet delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse.

Presidentja Jahjaga, në takimet e ndara me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, bisedoi për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për krijimin e lehtësive për qytetarët e këtyre vendeve.

Gjithashtu, në takimet bilaterale katër presidentët theksuan faktin se e ardhmja e përbashkët është integrimi në strukturat euro-atlantike dhe vlerësuan se rruga e integrimeve është më e lehtë nëse bashkëpunohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA