Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka shprehur besimin e tij se një ditë, së shpejti, edhe Sllovakia do ta njohë Kosovën.

“Mendoj se do të vijë dita kur Sllovakia do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për gazetën sllovake “Pravda”.

Shefi i diplomacisë kosovare ishte për një vizitë në Sllovaki me ftesë të organizatës joqeveritare Komisioni Atlantik Sllovak.

Ai ka nënvizuar se, që prej shpalljes së pavarësisë Kosovën e kanë njohur 96 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Muajin e kaluar, zoti Hoxhaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung”, tha se edhe Serbia një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Beogradit, se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën shtet, Hoxhaj vlerësoi se me një sjellje të tillë rruga e Serbisë në Evropë do të jetë përjetësisht e mbyllur.

“Edhe Gjermania e ka thënë shumë qartë: pa fqinjësi të mirë me Kosovën nuk do të ketë anëtarësim në BE. Me pranimin e disa marrëveshjeve Beogradi dalëngadalë po pranon realitetin e Kosovës së pavarur”, deklaroi Hoxhaj.

Po muajin e kaluar, në Ministrinë e Jashtme të Kosovës mbërriti nota verbale që zyrtarizonte njohjen e shtetit ballkanas nga Republika e Fixhit, ndërkohë që pritet njohja nga Iraku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA