Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar në një intervistë për VOA se arsyeja e afrimit mes tij dhe kryeministrit Hashim Thaçi është marrja përsipër e përgjegjësive për të qeverisur vendin.
Gjatë intervistës, përveç afrimit me PDK-në, Haradinaj ka treguar edhe ofertën që ai i ka bërë ish-bashkëluftëtarit të tij për të bashkëqeverisur.
“Ideja është që të tërhiqet Thaçi. Ne nuk e kemi diskutuar ende konkretisht këtë mundësi, por kjo mund të ndodhë në ditët që vijnë. Ne kemi këtë ofertë, jo ofertë tjetër”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka nënvizuar se, për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe për të vazhduar me një trend pozitiv, ky është varianti i vetëm, pasi edhe koha deri në zgjedhje është shumë e shkurtër.
“Deri në zgjedhje duhet të bëhen shumë punë, që ato të jenë të mira dhe që si proçes të jetë më cilësor. Është një investim që bëhet tani për zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Haradinaj.
Duke qëndruar tek marrëdhënia e tij me kryeministrin Thaçi, kreu i AAK-së ka shprehur mirënjohjen e tij për pritjen që iu rezervua kur u kthye në Prishtinë nga gjykata e Hagës.
“Për çdo vendim ka më shumë se një motiv. Jam i nderuar me pritjen që më është bërë. Kam falenderuar kryeministrin për pritjen dhe po ashtu edhe partitë e tjera dhe pakicat e Kosovës. Por kuptohet, çdo zhvillim i mirë nënkupton hapjen e rrugës për zhvillime të tjera pozitive”, ka thënë Haradinaj.
Më tej ish-kryeministri i Kosovës është shprehur pro bisedimeve Kosovë-Serbi, pasi kanë si synim përmirësimin e jetesës së qytetarëve, si dhe ka komentuar nismën e Tiranës dhe Prishtinës për të hetuar ish-kryeprokuroren e Hagës, Carla del Ponte.
“Unë nuk kam iniciuar një proçes kundër Del Pontes, për shkak të axhendës që kam pasur. Në këtë rast kemi të bëjmë me parime të ligjit ndërkombëtar dhe korrigjimi i defekteve në ligj është i mirë për njerëzimin. Bazuar në ligjin ndërkombëtar, unë e mbështes këtë hetim”, ka shtuar Haradinaj.
Top Channel