Të paktën 28 nxënës dhe një mësues mbetën të vrarë kur një predhë goditi një shkollë pranë kryeqytetit sirian, raportoi të martën Televizioni Sirian Shtetëror.
Sipas të dhënave, shkolla e ndodhur në një rajon 20 kilometra në veri të Damaskut u godit nga zjarri i mortajave të kryengritësve.
”Ky është një sulm i ri terrorist, i cili vendos nën shënjestër institucionet e arsimimit dhe nxënësit”, deklaroi Hassan Mohsen, kreu i sistemit arsimor të krahinës, në “Associated Press”.
Megjithatë, në një komunikatë për shtyp, rebelët fajësuan qeverinë për tragjedinë.
Ndërkohë, korrespondentët e mediave ndërkombëtare në Damask raportuan gjatë ditës se luftimet po vazhdojnë të intensifikohen, me trupat qeveritare që po realizojnë një operacion krahëmarrje, për të rrethuar dhe spastruar qytetin nga trupat rebele.
Lufta civile e nisur në mars 2011 i ka kushtuar jetën deri tani mbi 40 mijë sirianëve, me 2,5 milionë që janë shpërngulur nga banesat e tyre, duke u zhvendosur si refugjatë lufte në vendet fqinje apo brenda Sirisë.
Top Channel