Autoritetet në Brazil arrestuan 60 policë, me akuzën e marrjes së pagesave të rregullta nga trafikantët e drogës, për të toleruar aktivitetin e tyre në disa prej lagjeve periferive të Rio de Zhaneiros.
Lajmi u raportua të martën nga mediat braziliane, që saktësuan se në operacionin madhor, përfunduan në pranga edhe 11 narkotrafikantë të dyshuar.
Sipas akuzës, policët ishin të përfshirë edhe në aktivitete të shitjes së armëve tek keqbërësit.
Që prej fillimit të vitit 2012, autoritetet braziliane janë duke realizuar një seri operacionesh për të reduktuar kriminalitetin në vend, në prag të mbajtjes së Botërorit të vitit 2014 dhe Lojrave Olimpike të 2016-s.
Kryekomisari i policisë së Rio de Zhaneiros, Erir Ribeiro Costa Filho, paralajmëroi dënime të ashpra për të gjithë oficerët e korruptuar. “Nuk mund të tolerojmë asnjë polic të korruptuar në forcën tonë. Krimi do të luftohet vetëm nëpërmjet vendosmërisë maksimale të ligjit”, u shpreh ai.
Top Channel