NATO, raketa në kufirin turko-sirian

04/12/2012 04:50

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka konfirmuar të hënën se aleanca ushtarake pritet të vendosë raketa “patriot” në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, si masa paraprake ndaj përhapjes së luftës civile në Siri.

Rasmussen tha për CNN se pret që samiti i ministrave të Jashtëm në Bruksel, i cili do të mbahet të martën, të marrë një vendim në të njëjtën ditë, duke pritur një “përgjigje pozitive” kundrejt kërkesës së qeverisë turke.

Janë identifikuar tashmë tre pozicione përgjatë kufirit jug-lindor të Turqisë me Sirinë, si vendet e mundshme për vendosjen e raketave “patriot”, të cilat do të vijnë nga SHBA, Gjermania dhe Holanda dhe do të kërkojnë vetëm pak javë për instalimin e tyre, sipas Rasmussen.

Një zyrtar sirian ka këmbëngulur se ata “nuk do të përdorin kurrë, në
asnjë lloj rrethane” armë të tilla, “nëse këto armë ekzistojnë”.
Ndërkohë, OKB ka bërë të ditur se “po largon cdo anëtar të stafit
ndërkombëtar” nga Siria. 25 nga 100 stafet ndërkombëtare priten të
largohen këtë javë nga ky vend, sic ka raportuar agjencia e lajmeve
Irin, ndërsa të gjitha misionet humanitare jashtë Damaskut do të ndalen
në një moment të dytë.

Obama paralajmëron: Nëse ndërmerren hapa tragjikë, pasoja të rënda dhe përgjegjësi e Assad

Zyrtarë të SHBA-ve thanë për CNN se janë shqetësuar së tepërmi për faktin se Bashar al-Assad është duke përgatitur përdorimin e armëve kimike. “Bota është duke vëzhguar. Përdorimi i armëve kimike është dhe do të jetë totalisht e papranueshme”, tha presidenti Obama.

Në një fjalim, mbi mospërhapjen e armëve bërthamore, në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, në Fort McNair, Obama u shpreh: “Kemi punuar për t’i mbajtur këto armë larg përdorimit, qoftë nëse bëhet fjalë për materiale bërthamore në Libi, apo armë kimike në Siri. Thjesht, nuk mund të lejojmë që shekulli XXI të errësohet nga armët më të këqija të shekullit XX. Sot, dua t’ia bëj totalisht të qartë Assad-it dhe kujtdo që është nën komandën e tij… Nëse do ta bënit këtë gabim tragjik, duke përdorur këto lloj armësh, do të përballeni me pasoja të ashpra dhe ju do të jeni përgjegjësit”.

CIA ka bërë të ditur se këto armë “mund të transportohen përmes aeroplanëve, raketave balistike dhe raketave të artilerisë së rëndë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA