
Kompania austriake OeSD, që ka prodhuar deri më tani pasaportat biometrike për Kosovën, ka pezulluar shërbimet e saj më këtë vend.
Sipas mediave austriake, kontrata është ndërprerë për shkak të vonesave në pagesa nga ana e Republikës së Kosovës. “Për shkak të vonesave të vazhdueshme në pagesa nga ana e Republikës së Kosovës, në lidhje me kontratën për prodhimin (liferimin) e pasaportave, kompania austriake OeSD, duke u bazuar në kontratën ekzistuese, ka bërë të ditur se është detyruar të ndërpresë përkohësisht shërbimet e veta”, njoftojnë mediat austriake.
Vendimi i kompanisë austriake vjen disa javë pas arrestimit të shtetases gjermano-boshnjake, Natalie Veliaj, e cila është arrestuar nga Eulex nën dyshimin se, pasi i ka marrë paratë nuk i ka përcjellë ato te kompania, të cilën e përfaqëson.
Debati për këtë çështje ka vijuar sot në komisionin për Siguri, Punë të Brendshme dhe Mbikqyrje të FSK-së, ku ministri i Brendshëm i Kosovës foli mbi hetimet në lidhje me këtë cështje.
“Ky proçes ka filluar pastër, ndërkohë kanë lindur probleme, ose ministri ka ndërmarrë masat për ata që kanë patur përgjegjësi menaxhuese të këtij projekti. Këtu janë dy çështje, njëra mes kompanisë OeSD dhe përfaqësuesve të tyre që hetohen, mirëpo, meqenëse ka deklaruar se ka edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme që janë korruptuar ose i kanë marrë, unë kam kërkuar hetime edhe nga Eulex, duke hapur derën dokumentat dhe çdo individ, që mendojnë se është i përfshirë në këtë korrupsion”, tha Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm.
Ndërkaq, anëtari i këtij komisioni parlamentar nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se skandali i pasaportave ka dëmtuar Kosovën në proçesin e liberalizimit të vizave.
“Është dëmtuar edhe imazhi i Kosovës në përgjithësi, po ashtu besoj se është dëmtuar edhe aspirata jonë drejt liberalizimit të vizave”, tha Rexhep Selimi, deputet i VV.
Në lidhje me këtë çështje Natali Veliajt iu shqiptua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa dy shtetasve nga Kosova masa e arrestit prej 30 ditësh. Ndërkohë që Veliajt i është refuzuar kërkesa për t’u bërë dëshmitare bashkëpunuese dhe e mbrojtur.
Në një rast të tillë e akuzuara për përvetësimin e 1.4 milionë euro, ka thënë se do të nxirrte emrat e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të përfshirë sipas saj në skandal.
Top Channel