
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Volker Halbauer ka shprehur
zhgënjimin e tij me zhvillimet e fundit në zonën e Kroit të Vitakut, ku
banorë serbë kanë tentuar të pengojnë ndërtimin e shtëpive të
shqiptarëve.
“Kryetarët përgjegjës të komunave dhe përfaqësuesit e komunitetit, pavarësisht etnisë apo anëtarësisë partiake, do të mbahen përgjegjës në qoftë se tensionet ndodhin përsëri”, ka deklaruar Halbauer.
Ushtaraku i lartë, sipas “RTK”, ka përsëritur se KFOR-i nuk ka rol në vlerësimin e aspekteve ligjore apo politike të aktiviteteve të ndërtimit dhe rindërtimit në Kosovë, por ka theksuar se këto aktivitete duhet të menaxhohen në frymën e pajtimit dhe dialogut.
“Të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili mund të rrisë tensionet dhe të çojë në dhunë”, ka thënë më tej gjenerali gjerman gjatë një vizite në Mitrovicë.
Muajin e kaluar serbët që jetojnë përtej urës së Ibrit u mobilizuan me anë të sistemit të tyre të alarmit për të ndaluar punimet në shtëpitë e shqiptarëve.
Disa grupe serbësh qëlluan me gurë në drejtim të punëtorëve të kompanisë që po kryente punimet në disa shtëpi, por edhe kundër policëve kosovarë të pranishëm në Kroin e Vitakut.
Po muajin e kaluar një shpërthim i fuqishëm tronditi lagjen në fjalë. Sipas policisë, nga shpërthimi nuk pati dëme në njerëz e as materiale, por edhe pse nuk dihen autorët, duket se qëllimi ishte një: frikësimi i banorëve shqiptarë.
E pikërisht disa orë pas kësaj ngjarjeje, qindra serbë protestuan në veri pranë urës kryesore. Ata shfaqën hapur qendrimin e tyre kundër kthimit të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”.
Protesta ishte organizuar nga lideri ilegal serb Kërstmir Pantiç, i cili ftoi edhe njëherë serbët, që të kundërshtojnë përpjekjet e faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar për vendosjen e shqiptarëve, të cilët sipas tij nuk kanë jetuar kurrë më parë në veri.
Top Channel