Situata ne piken kufitare të Jarinjës është tensionuar gjatë natës.
Sipas agjencisë Kosovapress, në vendngjarje janë parë policë serbë dhe
krerët e komunave ilegale paralele në veri të Kosovës.

Ndërsa gjatë mëngjesit, serbët kanë vazhduar të aktivizojnë alarmin duke thirrur në vendngjarje qytetarët e kësaj ane. Kosovapress njofton se serbët janë duke aktivizuar alarmin pothuajse çdo orë nëpër zona të ndryshme të veriut, duke përfshirë këtu edhe Mitrovicën, për të ftuar sa më shumë njerëz në Jarinjë, ndërkohë që drejtuesit e institucioneve të ndryshme në veri kanë urdhëruar punëtorët e tyre të ndërprejnë punën dhe të shkojnë në pikën kufitare të Jarinjës.

Burime të Kosovapress-it nga Jarinja bëjnë të ditur se atje tani ndodhen rreth 200 qytetarë të cilëve po i udhëheqin  kryetarët ilegalë të komunave në veri dhe të cilët po mbajnë të bllokuar zonën e kufirit Kosovë-Serbi.

Sipas të njëjtave burime, duket se punimet në përgatitjen e kufirit janë ndërprerë, pasi protestuesit kanë sulmuar punëtorët e kompanisë nga Novi Pazari i Serbisë, të cilët kanë braktisur punimet dhe janë larguar. Mesazhi që ata duan të përçojnë me këtë protestës është se banorët janë kundër vendosjes së kufirit mes dy vendeve në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Jahjaga dënon dhunën në Jarinjë

IBM-ja garanton stabilitet për të dyja shtetet

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar ashpër dhunën dhe dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar të Jarinjës nga një grup banorësh serbë.

“Dëmtimi i objekteve kufitare dhe dhuna e ushtruar nga grupe të caktuara, që pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon normalizimit të situatës në komunat në veri të Kosovës”, ka deklaruar Jahjaga.

Presidentja ka theksuar se kjo dhunë përshkallëzon situatën në veri dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin atje.

“Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit garanton stabilitet për të dyja shtetet, fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare, si dhe ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka thënë Jahjaga.

Kryetarja e shtetit ka shtuar më tej se, marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE dhe të përkrahura nga SHBA, duhet të zbatohen sepse ndihmojnë në lehtësimin e jetesës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit. 

Top Channel