Gjykata e Hagës konfirmoi dënimet ndaj dy komandantëve serbë në Bosnje në luftën për pavarësi nga Jugosllavia, pas vendimit përfundimtar të dhënë në apel.
Kushërinjtë Milan dhe Sredoje Lukiç kundërshtuan dënimin me burgim të përjetshëm dhe 30 vjet heqje lirie, përkatësisht, për krimet e kryera kundër popullsisë muslimane boshnjake.
Pas rishikimit të çështjes, Haga rikonfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe reduktoi me tre vjet, në 27 vjet heqje lirie në total, masën për drejtuesin e dytë të grupit paraushtarak serb, “Shqiponjat e Bardha”.
Vendimi për të dënuar dy udhëheqësit paraushtarakë serbë, pasi në javët e fundit u lirua heroi i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy udhëheqës kroatë të luftës, Ante Gotovina e Mladen Markaç, pritet të ngjallë irritim të mëtejshëm në Beograd, ku Haga është akuzuar për shënjestrimin selektiv të të akuzuarve serbë.
Milan dhe Sredoje Lukiç u gjykuan fajtorë për krime kundër njerëzimit në qytetin lindor të Visegradit, në periudhën e viteve 1992-1995.
Në argumentimin e vendimit, gjykatësit i konsideruan aktet e tyre si “ndër më çnjerëzoret që një qënie njerëzore mund t’i bëjë një qënie tjetër njerëzore”.
Top Channel