Francë, arrestohen 2 bashkëpunëtorë të Merah

04/12/2012 00:00

Policia në jug-perëndim të Francës ka arrestuar dy persona të dyshuar se
kanë vepruar si bashkëpunëtorë të vrasësit islamik Mohamed Merah.

Një anëtar i një komuniteti emigrantësh është arrestuar në Albi, tha një burim policor për agjencinë e lajmeve “AFP”, ndërsa personi tjetër është arrestuar në Tuluz.

Merah, 24 vjeç, qëlloi tre ushtarë francezë, një të rritur dhe tre fëmijë në një shkollë hebreje në mars, para se të vritej gjatë operacionit të forcave speciale për kapjen e tij në një apartament në Tuluz.

Dy të arrestuarit dyshohen se kanë ndihmuar Merah në kryerjen e veprimeve të tij, ka thënë burimi policor. Më herët, edhe vëllai më i madh i Merah, Abdelkader, u akuzua për bashkëpunim në vrasje.

Sipas “AFP”, ai u tha hetuesve se një person i tretë kishte qenë i pranishëm kur një motor i fuqishëm i përdorur nga terroristi u vodh për qëllimet e tij. Megjithatë, ai refuzoi ta identifikonte atë.

Një vëlla tjetër, që ka denoncuar publikisht krimet, Abdelghani Merah, foli për mediat franceze për një “person të tretë” që ishte nga një komunitet emigrantësh.

Sulmet fatale të Merah, që ndodhën njëri pas tjetrit mes 11 dhe 19 marsit, tronditën gjithë Francën. Tre ushtarë të çarmatosur francezë u vranë, ashtu si dhe një rabin dhe tre fëmijë të vegjël në një shkollë hebreje. Thuhet se Merah kapi një vajzë të vogël prej flokësh dhe e qëlloi në kokë.

Kur u rrethua nga policia, ai u tha negociatorëve se ishte një anëtar i Al Kaedës dhe se së fundmi kishte bërë udhëtime në Pakistan dhe Afganistan, ku ishte ndalur në bastionin e talebanëve në Kandahar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA