Filipine, 40 mijë të evakuuar nga tajfuni

04/12/2012 00:00

Mbi 40 mijë persona kanë lënë shtëpitë dhe janë transferuar në streha të tjera pasi një tajfun i fuqishëm po godet pjesën jugore të ishujve Filipine.

Tajfuni “Bopha” zbarkoi në Mindanao herët gjatë së martës, duke sjellë shira të dendura dhe erëra të forta që arrjnë në 210 kilometra në orë.

Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, probleme në transport dhe përmbytje në zonat me rrezik rrëshiqtjeje toke.

Ditën e hënë, presidenti Benigno Aquino u bëri thirrje banorëve në zonat që do të përshkoheshin nga tajfuni që t’i merrnin seriozisht paralajmërimet.

“Mund të jetë tajfuni më i fuqishëm që godet vendin për këtë vit. Por ne mund t’i reduktojmë dëmet dhe të ulim humbjen e jetëve nëse ndihmojmë njëri-tjetrin”, deklaroi presidenti.

Syri i stuhisë së gjerë 600 kilometra po lëvizte në perëndim me 26 kilometra në orë dhe pritej të kalonte nëpër provincat lindore e qendrore para se të arrinte Detin e Kinës së Jugut ditën e martë.

Për momentin nuk ka pasur të dhëna për viktima. “Bopha” vjen një vit pasi tajfuni “Uashi” vrau mbi 1500 persona në jug të ishujve Filipine.

Shumë persona humbën jetën nga ky tajfun si pasojë e tejmbushjes së lumenjve që dolën nga shtrati dhe shkaktuan rrëshqitje toke. Ishujt Filipine goditen nga tajfunë dhe stuhi tropikale çdo vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA