Për herë të dytë brenda disa javëve, Eurostat publikon të dhëna të reja që shokojnë për varfërinë dhe izolimin social në Greqi.
Sipas raportit të fundit për vitin 2011, rreth 3,4 milionë grekë jetojnë pranë kufirit të varfërisë. Më shumë se gjysma e tyre nuk mund të mbulojë nevojat më kryesore të jetesës, ndërsa pjesa tjetër mbijeton me të ardhura të pakta dhe me ndihmën e asistencës sociale.
Këto statistika e sjellin Greqinë te vendet me përqindje të madhe të popullsisë pranë nivelit të varfërisë, pas Bullgarisë, Rumanisë, Letonisë dhe Lituanisë.
“As rroba, asgjë tjetër. Po vuajmë tmerrësisht. Mungesat në ushqime na kanë bërë të presim gjithçka. Bëjmë kursime deri në 50% në të gjitha shpenzimet” tha Georgios Vagjelakos, pensionist.
Sipas Eurostat, persona pranë kufirit të varfërisë quhen ata që nuk mund të mbulojnë shpenzimet e qerasë apo kredisë, ngrohjes, ushqimit me peshk apo mish çdo dy ditë, makinës apo telefonit.
“Më parë shkoja me 100 euro në pazar dhe blija gjithçka, tani nuk dalin lekët. Them të marr vetëm 20 euro dhe të ble çfarë të mundem”, tha Anna Vagjelaku, pensioniste.
Por dëshpëruese janë edhe parashikimet e raportit të Guvernatorit të Bankës së Greqisë, që i është dorëzuar parlamentit orët e fundit për vitin 2013, ku parashikohet recension i ekonomisë në masën 4% deri 4.5%.
Në raport theksohet se kriza ka shkaktuar plagë aq të mëdha në Greqi, që janë pothuajse të barazvlefshme me ato të Depresionit të Madh në vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Konkretisht PBB u tkurr me 20% dhe vazhdon ende të reduktohet. Papunësia u rrit në 25% nga 8% që ishte para disa vitesh dhe niveli i jetesës po ulet gjithnjë e më shumë. Një prej shembujve më kuptimplotë që tregon se sa ka rënë fuqia blerëse e qytetarëve është edhe shitja e makinave, që shënoi numrin rekord në vitin 2006 me 267 mijë automjete, duke shkuar sot në vetëm 52 mijë ose e thënë ndryshe në nivelet e vitit 1980.
Top Channel