Takimi i tretë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç do të zhvillohet të martën, më 4 dhjetor, në Bruksel.
Sipas kryeministrit Thaçi, çështja kyçe që do të diskutohet në këtë takim do të jetë fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tashmë në 4 pikëkalime kufitare makineri të rënda janë duke punuar për të bërë gati hapësirat ku do të vendosen objektet e përbashkëta, të cilat do të jenë të përkohshme, derisa ato të përhershme do të ndërtohen më vonë nga Komisioni Europian.
“Fillimi i implementimit të kësaj marrëveshjeje shënon një kthesë në proçesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Një kthesë në implementimin e kritereve dhe standardeve evropiane. Kjo marrëveshje përcakton dhe kufirin mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo marrëveshje pritet të fillojë të zbatohet më 10 dhjetor të këtij viti. I pyetur se si do të bëhet për përdorimin e simboleve, zëvëndëskryeministri Kuçi tha pas mbledhjes së qeverisë se trajtimi do të jetë i barabartë.
“Ne kemi qëndrimin që njëherë t’i menaxhojmë pikat kufitare dhe më pas, çfarë simbolesh do të ketë në anën e Serbisë do të ketë edhe në anën e Kosovës. Kjo, në kuptimin se, nëse ata vendosin simbolet e tyre shtetërore, atëherë do t’i vendosim edhe ne. Duhet ta kuptojmë ndonjë reagim emocional që mund të ketë dikush në Serbi, por IBM-ja i ngjan modeleve që kanë shtetet e tjera demokratike dhe është një hap jetik”, deklaroi Kuçi.
Ndërkohë, kryeatrët ilegalë të komunave veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i rivendosin barikadat në këtë pjesë për t’i bërë jofunksionale pikëkalimet kufitare, në rast se Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve do të sjellë vendosjen e kufijve me Serbinë.
Top Channel