Incidentet ndëretnike në Maqedoni duket se po kthehen në përditshmëri. Në shënjestër të huliganëve maqedonas të dielën vonë në mbrëmje kanë qenë dy studentë të nacionalitetit turk, të cilët janë sulmuar dhe rrahur brutalisht në qendër të Shkupit vetëm pse janë dëgjuar duke folur turqisht.
Studentët, të cilët janë dërguar menjëherë në spital, kanë marrë lendime të rënda në kokë dhe trup. Ky sulm vjen vetëm një ditë pasi policia evitoi një incident në një autobus urban mes disa udhëtarëve dhe një grupi tifozësh maqedonas, të cilët po fyenin shqiptarët dhe tentuan të djegin flamurin kombëtar.
Ndërkohë, fansat e skuadës së basketbollit MZT kanë bërë thirrje publike deri tek të gjithë tifozët maqedonas për bashkimin kundër shqiptarëve.
Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, duke komentuar këto incidente ka paralajmëruar padi penale për tifozët. Ajo ka thënë se policia në të ardhmen do të reagojë ashpër ndaj të gjithë atyre që do të tentojnë të nxisin incidente jo vetëm në terrenet sportive, por edhe jashtë tyre.
Ndërkohë, analistët në Shkup thonë se incidentet ndëretnike po nxiten nga qendra të caktuara që dëshirojnë të mbajnë të tensionuar situatën në Maqedoni.
Top Channel