Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka komentuar përgjimin e bisedave telefonike nga EULEX-i. Por megjithkëtë, duket se publikimi i tyre ka bërë që qeveria e Kosovës të miratojë një projektligj enkas për këtë fushë.
Me të gjitha votat pro, qeveria e Kosovës, vetëm pak ditë pas publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së, ka miratuar projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.
Sipas zëvëndëskryeministrit, ky projektligj ka qenë në axhendën legjislative të qeverisë dhe i kërkuar në raportin e progresit të Komisionit Europian, por gjendja e krijuar ka përshpejtuar dhe aty parashihet qartë se kush mund të bëjë përgjime.
“Respektimi i ligjit dhe parimeve të demokracisë nuk bëhet duke cënuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ky ligj nuk ua kufizon të drejtën për përgjime organeve të ndjekjes, por i sistemon më mirë ato dhe i rregullon në raport me atë që është nën urdhrin dhe atë që është në privatësinë e secilit”, deklaroi Hajredin Kuçi.
Duke folur për përgjimet e publikuara javën e kaluar, zëvëndëskryeministri Kuçi ka thënë se duhet të bëhet një hetim i pavarur nga EULEX-i dhe institucionet e Kosovës për të parë ligjshmërinë e përgjimit dhe publikimit të tyre.
“Si ministër i Drejtësisë dhe zëvëndëskryeministër mua më intereson më shumë raporti me ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut, sesa raportet që mund të jenë personale ose politike. Ajo që është me rëndësi, është se duhet të shikojmë nëse përgjimi është në përputhje me këto akte juridike, nëse publikimi është po ashtu në përputhje me këto akte juridike dhe çdo veprim tjetër. Dhe këtu duhet të bëhet një hetim i pavarur nga EULEX-i dhe institucionet tona që të shohim se ku ka shkarje të ligjit”, nënvizoi Kuçi.
Të paktën 5 biseda telefonike të bëra nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, janë publikuar në faqen e internetit YouTube. Qeveria e Kosoves i konsideroi të falbrikuara këto përgjime, ndërsa më pas ishte EULEX që vërtetoi se ato ishin kryer nga ky mision dhe se ishin autentike.
Top Channel