Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e mohon inkuadrimin e tij në qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, ai tha se janë duke punuar me PDK-në, pra partinë në pushtet, për krijimin e një projekti i cili do t’i mundësonte AAK-së dhënien e kontributit në sfidat që e presin Kosovën. Këto komente Haradinaj i bëri në takimin e parë me këshillin drejtues të partisë së tij pas kthimit nga Haga.

“Ne synojmë të japim më shumë për të ardhmen, për një cilësi më të mirë qeverisjeje dhe për zhvillime më të mira në vend. Në bazë të këtij synimi ne jemi të interesuar të marrim përgjegjësitë tona edhe në qeverisje. Për këtë motiv kemi një projekt ende të papërcaktuar, por që do ta negociojmë me partinë në pushtet”, deklaroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së kishte qenë kritikues i fortë i qeverisë së Kosovës, me theks të vecantë tek ish-Shërbimi Informativ të Kosovës, të cilin e kishte cilësuar si një organizatë kriminale. I pyetur nëse ka ende të njëjtin mendim, Haradinaj dha këtë përgjigje:

“Unë jam i njëjti person që kam qenë, por po reflektoj gjendjen ashtu siç është. Ndoshta ju keni jetuar çdo ditë këtu dhe jeni imun ndaj gjendjes, por pamja që kam unë është një pamje jo e mirë, një gjendje jo e lehtë, me ndjeshmëri të madhe politike dhe të natyrave të tjera. Unë do të punoj jo për ta rënduar gjendjen në vend, por për ta lehtësuar atë”, tha Haradinaj.

Në fakt, bashkëpunimi mes AAK-së dhe PDK-së ka filluar në kohën kur Haradinaj ishte në Hagë në pritje të vendimit të gjykatës. Pak para këtij vendimi nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala mori postin e koordinatorit të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa këtë javë ai do të udhëtojë bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e radhës me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA