Me rastin e ditëlindjes së ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë homazhe te varri i tij.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha gjatë së dielës se “Rugovën e përkujtojmë si një prej presidentëve më të suksesshëm dhe se LDK do të vazhdojë rrugën rugoviane”.

“Ne dëshirojmë ta përkujtojmë atë si një prej presidentëve më të suksesshëm, si një prej njerëzve që ka dhënë kontributin më të madh për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, të një figure monumentale të shtetit tonë. Me këtë tregojmë që LDK me çdo kusht do të vazhdojë rrugën rugoviane, rrugë e cila është e orientuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës, mbi bazat që i ka vënë presidenti Ibrahim Rugova, me një demokraci të mirëfilltë dhe mbi një liri të mirëfilltë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Mustafa.

“Rugova është një prej figurave të mëdha, që do të kujtohet në këtë shekull, sepse është krijuesi i Pavarësisë së Kosovës, pa të cilin Pavarësia e Shqipërisë e 1912-s është gjysmake”, u shpreh Sabri Hamiti, nënkryetar i LDK-së.

Po ashtu, gjatë së dielës, zyrtarë të LDK-së kanë vizituar edhe familjen Rugova. Ish-presidenti Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944, në fshatin Cerrcë të Istogut, ndërsa ndërroi jetë pas një sëmundjeje, më 21 janar të vitit 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA