Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi reagon sërish lidhur me përgjimin e bisedave të funksionarëve të lartë të partisë së tij.

Në një deklaratë dërguar mediave Krasniqi thotë se bisedat private jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të njerëzve, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustracione të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike.

Ndonëse kryeparlamentari Krasniqi nuk iu referohet emrave konkrete  përplasja në PDK tashmë duket qartë. Në bisedat telefonike të kryeministrit Hashim Thaçi me shefin e grupit parlamentar Adem Grabovci dhe me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku kuptohet se Jakup Krasniqi në pozitën e kryetarit të Kuvendit është pengesë për ruajtjen e axhendës politike të kryeministrit Thaçi.

“Në gjithë veprimtarinë time politike publike kam qenë transparent, i vendosur, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh çka mendojnë rivalët apo kundërshtarët e mi politikë, qofshin ata edhe brendapërbrenda partisë sime – PDK-së. Unë nuk merrem as me njerëzit që falsifikojnë gjëra, as me bisedat private të personaliteteve publike, qoftë edhe në rastet kur dikush ua bën publike jetën private, nëse mund të jetë brenda kornizave të privacisë ajo që u dëgjua”, ka deklaruar Krasniqi.

Sa i përket shkeljes së privatësië në fakt ka reaguar Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republikës së Kosovës.

Ky institucion ka shprehur shqetësimin e saj me rastin e publikimit te kundërligjshëm të  audio-regjistrimeve të disa zyrtarëve të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe Kryeministrin e vendit  Hashim Thaçi. Ndërsa është konstatuar se është shkelur neni 36 i Kushtetutës në të cilin garantohet e drejta e privatësisë dhe cdo kush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private.

Top Channel