Meksikë, prezantohet kabineti i ri

01/12/2012 00:00

Presidenti i ardhshëm i Meksikës, Enrique Pena Nieto ka emëruar 20
anëtarët e kabinetit të tij, disa orë para ceremonisë së marrjes së
detyrës.

Vetëm tre gra do të jenë në qeveri, me Partinë e Revolucionit Institucional që kthehet në pushtet pas 12 vjetësh në opozitë.

Objektivat kryesorë të zotit Nieto janë nxitja e rritjes ekonomike dhe reduktimi i krimeve të lidhura me trafikun e drogës, që e kanë kthyer Meksikën në “Afganistanin” e Amerikës Latine.

Ministër i Jashtëm do të jetë Jose Antonio Meade, që ka qenë ministër i Thesarit gjatë qeverisë së presidentit në ikje, Felipe Calderon.

PRI qeverisi Meksikën për 71 vjet pa ndërprerje deri në vitin 2000 dhe kundërshtarët e saj shpesh herë e kanë akuzuar për autoritarizëm dhe korrupsion, si dhe për lidhje me kartelet e drogës.

Por gjatë fushatës së tij elektorale, zoti Nieto, 46 vjeç, theksoi se gjatë kohës që ka kaluar në opozitë, partia ka ecur përpara.

“Mund të them në mënyrë kategorike se në qeverinë time s’do të ketë asnjë pakt me krimin e organizuar. Nuk është kjo rruga e duhur për sigurinë e popullit meksikan”, tha ai për BBC.

Kabineti i ri u prezantua nga personi i zgjedhur si ministër i Brendshëm, Miguel Angel Osorio Chong, një mik i afërt i presidentit të zgjedhur dhe ish-guvernator i shtetit të Hidalgos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA