
Në ditën e dytë pas lirimit nga Haga ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bën homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai u prit nga Rifat e Murat Jashari ndërsa pas takimit edhe me trashëgimtaret e Shaban, Adem, e Hamëz Jashari tha se vizita në Prekaz i ndihmon të freskojë ndjenjat dhe bindjen që në të ardhmen të qendrojë në rrugë të drejtë në shërbim të vendit dhe njerëzve.
“Është nder të vish në Prekaz, për të nderuar njerëz të mëdhenj të kombit që janë në themele të lirisë sonë si komb. Po ashtu te takosh trashëgimtarët e familjes, njerëzit që vazhdojnë rrugën e paraardhësve, me bacin Rifat, me Muratin. Dita e sotme ishte më shumë çmallëse dhe një ditë e reflektimit në krejt rrugën tonë deri këtu. Po ashtu edhe një mundësi e freskimit të ndjenjave dhe bindjeve që në të ardhmen të qëndrojmë në rrugë të drejtë në shërbim të vendit dhe të njerëzve”, tha Haradinaj.
“Konsiderojmë se rasti në Gjykatën e Hagës ka qenë një betejë e vështirë. Mos të bëjë krahasime me betejat e luftës, por konsideroj se beteja në paqe dhe beteja me drejtësinë është një betejë shumë më e vështirë se sa ajo dhe sidomos kur beteja është në arenën ndërkombëtare. Konsideroj se fitimi i kësaj beteje i ka sjellë kuptim lirisë së vendit tonë, luftës dhe sakrificës që është bërë dhe për këtë e përgëzojmë dhe e urojmë Haradinajn”, deklaroi Murat Jashari, nipi i Adem Jasharit.
Pas vizitës në Prekaz, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, vizitoi qytetin e Klinës dhe bëri homazhe te shtatorja e dëshmorit Mujë Krasniqi.
Top Channel