
Një 37-vjeçar nga Shkupi ka hedhur mbrëmjen e së enjtes koktej molotovi para godinës së ambasadës së SHBA-ve në Shkup.
Policia informoi se personi i është afruar ambasadës në këmbë dhe në një largësi prej 20 metrash nga dera e madhe e oborrit të ambasadës ka hedhur koktejin.
Për fat të mirë nuk ka arritur të qëllojë ambasadën, por kokteji i molotovit ka rënë 15 metra para hyrjes së ambasadës dhe nuk ka shkaktuar asnjë dëm.
Më pas sulmuesi, indentiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është larguar nga vendi i ngjarjes, por policia ka arritur ta ndalojë pak orë pas aktit.
Në stacionin e policisë, ai ka deklaruar se iniciativën e sulmit e ka marrë pasi është inspiruar nga filmat e Hollivudit. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar padi kundër tij, si dhe ka nisur hetimet për rastin.
Cak i vandalëve, ambasada e SHBA-ve në Shkup ka qenë edhe në vitin 1999 në kohën kur NATO bombardonte Serbinë.
Top Channel