Disa qindra nacionalistë serbë kanë protestuar pasditen e së premtes në Beograd, duke djegur flamujt e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Sipas raportimeve të “REL”, aktet në fjalë kanë qenë në shenjë proteste ndaj lirimit të ish-luftëtarëve të Uçk-së dhe gjeneralëve kroatë nga gjykata ndërkombëtare e Hagës.

Eksponentë të Partisë Radikale Serbe, të pranishëm në protestë, kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe presidentit të Serbisë, për shkak të prirjeve integruese në BE.

Nemanja Saroviç, përfaqësues i kësaj partie, ka deklaruar se, Serbia duhet të kthehet nga drejtimi i duhur, duke iu referuar këtu Rusisë, Amerikës Latine dhe “miqve të tjerë tradicionalë”.

Shumë njerëz në Serbi janë të irrituar për faktin se një ditë më parë gjykata e Hagës shfajësoi për mungesë provash ish-komandantin e UÇK-së Ramush Haradinaj, ndërsa më herët gjatë muajit gjeneralët kroatë Gotovina dhe Markaç.

Ata akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër popullsisë serbe, kosovarët në konfliktin e vitit 98-99, ndërsa kroatët në luftën e vitit 1992.

Mediat serbe, duke komentuar lirimin e treshes së Uçk-së një ditë më parë, e konsideruan vendimin e Hagës si një tjetër shuplakë që i jepet Serbisë pas lirimit të kroatëve.

Vladimir Vukçeviç, kryeprokuror për krime lufte në Serbi, tha në reagimin e tij se aktgjykimi në rastin Haradinaj ishte i padrejtë dhe rezultat i mos mbrojtjes së dëshmitarëve.

Ndërsa zyrtari për bashkëpunim me Hagën, Rasim Lajiç theksoi se, kjo ngjarje do të zbeh edhe më tej bashkëpunimin e Beogradit me gjykatën ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA