Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar gjatë së premtes se, është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë faktorët që duan ta çojnë Kosovën përpara.

Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, organizuar posaçërisht për të nderuar atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

“Ju siguroj se do të jem shumë i kujdesshëm që të punoj me të gjithë ju, në mënyrë që të krijojmë një cilësi më të mirë jetese për vendin tonë, një demokraci më të mirë dhe funksionim të shtetit për të gjitha problemet që shqetësojnë qytetarët”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së është shprehur i vetëdijshëm se, “kjo nuk do të jetë lehtë, ashtu sikurse nuk ka qenë deri më tani”, por ai ka ftuar ligjvënësit që, “ta ndjejnë veten më të fortë, sepse tani kanë edhe një koleg që do të punojë me ta”.

Para fjalimit në seancën parlamentare, Haradinaj e nisi aktivitetin e tij pas kthimit nga Haga duke bërë homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, si dhe tek shtatorja e ish-luftëtarit të UÇK-së, Zahir Pajaziti. Gjithashtu, ai u prit në një takim edhe nga presidentja Atifete Jahjaga.

Në prononcimet për mediat Haradinaj nuk foli për qëndrimin që do të mbajë partia e tij kundrejt koalicionit qeveritar, por theksoi se do të angazhohet për një qeverisje më cilësore në Kosovë.

“Unë do të punoj me këdo për të sjellë një model të ri qeverisjeje, një model të ri për zhvillimin e vendit. Kuptohet, këtë mund ta bëjmë vetëm në rast se të gjithë ne angazhohemi për një cilësi më të mirë jetese për vendin tonë”, tha Haradinaj.

“Kosova është një sfidë, duke qenë shtet i ri dhe demokraci e re. Ne nuk rrezikohemi më, pasi jemi shtet, por cilësia e shtetit, demokracia dhe zhvillimet e brendshme të tij mbeten një sfidë. Prandaj ne do të punojmë së bashku”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA