Parlamenti gjerman ka aprovuar pagesën prej 44 miliardë eurosh për Greqinë, me një shumicë të konsiderueshme, pavarësisht debateve të shumta.
Bundestagu votoi me 473 vota pro dhe 100 kundër, plus 11 abstenim, pasi kancelarja Angela Merkel bëri thirrje për mbështetje ndërpartiake.
Ministrat e Financave të 17 vendeve të eurozonës ranë dakord të hënën që Greqisë t’i jepet kësti i radhës i ndihmës më 13 dhjetor. Ndjeshmëria e Gjermanisë lidhur me krizën e borxhit po rritet teksa vendi i afrohet vitit elektoral.
Para votimit të së premtes, ministri i Financave Wolfgang Shcaeuble paralajmëroi deputetët se fati i eurozonës varet nga Greqia, e cila në vitet e fundit ka marrë dy ndihma të mëdha financiare. “Një falimentim i mundshëm i Greqisë mund të çojë në shpërbërjen e eurozonës”, tha ministri.
Pavarësisht faktit se qeveria greke ka kryer reforma dhe ka miratuar një buxhet të fortë anti-krizë, lëshimi i këstit të radhës u vonua për dy javë për shkak të mosmarrëveshjeve mes huadhënësve, që në këtë rast janë FMN dhe BQE.
Këto të fundit kishin rënë dakord që Greqisë t’i jepnin dy vjet kohë për të reduktuar shpenzimet, në mënyrë që t’i lehtësonin presionit në të cilin ndodhet vendi për shkak të krizës ekonomike.
Gjithësesi, zgjatja do të thoshte se qeveria greke do të shpenzonte më shumë për një kohë të gjatë dhe për rrjedhojë do të kishte një rritje më të lartë të borxhit.
Top Channel