
Edhe një shuplakë tjetër ndaj Serbisë: lirohet Ramush Haradinaj.
Kryesisht kështu nisin lajmet e mediave serbe, të cilat vlerësojnë se
lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës është një shkelje për viktimat në
Kosovë.
Disa media kanë filluar të japin informacione urgjente lidhur me gjykimin dhe po ashtu theksojnë se gjyqi i Hagës ka ardhur në përfundim se nuk ka fakte për të gjykuar, Vlladimir Vukcevic, kryeprokuror për krime lufte ka thënë në reagimet e para që aktgjykimi në rastin Haradinaj është i padrejtë dhe rezultat i mos mbrojtjes së dëshmitarëve.
Kurse shefi për bashkëpunim me Hagën, Rasim Lajic, ka theksuar se kjo ngjarje do të zbeh edhe më tutje rolin e Gjykatës së Hagës. Partia më e madhe në pushtet e presidentit, Tomisllav Nikollic, ka vlerësuar në një njoftim për shtyp se pas lirimit të gjeneralëve kroat, kjo është përulja e dytë më e madhe që u bëhet viktimave serbe dhe popullit serb, duke shtuar se duhet të ndërpritet çdo bashkëpunim me gjykatën.
Një nga partnerët e koalicionit qeverisës, Dragan Markovic Pallma, i Serbisë së Bashkuar, ka theksuar se sipas kësaj, i bie që serbët janë dëbuar dhe vrarë vet. Mediat serbe dhe politika për ditë të tëra kanë folur për gjykimin dhe kanë paralajmëruar në lirim, e që është konsideruar edhe si tentim për të ndikuar tek gjykata.
Top Channel