Ceremoni madhështore në Vlore me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së
Shqipërisë. Ngritja e flamurit në shenjë simbolike në këtë ditë të
shënuar mblodhi në Vlorë krerët e shtetit dhe politikës shqiptare,
ndërsa në shesh ishin me qindra e mijëra qytetarë, jo vetëm nga
Vlora dhe qytetet rrotull, por nga të gjitha trojet shqiptare.
Festa e madhe e Pavarësisë u kthye në një ditë pelegrinazhi për të gjithë ata që ndihen patriotë, atdhedashës, që e duan dhe e nderojnë tokën tonë. Ashtu sikurse një shekull më parë, edhe sot në Vlorë ishin ‘delegatët’ nga qarqet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Disa prej tyre madje e kishin nisur prej ditësh rrugëtimin me kuaj dhe kanë mbërritur në Vlorë në këtë ditë të madhe.
Në mënyrë simbolike Presidenti i Republikës dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës prenë tortën gjigante të përgatitur me këtë rast. Ndërkohë ajo që binte në sy ishte qendrimi pranë njëri-tjetrit i Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës Edi Rama. Në Vlorë ishin edhe krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaci.
Në fjalën e rastit, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika deklaroi në këtë ditë të shënuar, se të gjithë duhet të ecim përpara, të ketë bashkim vëllazëror në të gjithë spektrin e ngjyrave, bashkim zemrash, vullnetesh dhe fuqish të pashterrura. “Vlora jonë ka arsye të ndihet krenare, si qyteti që e mbajti frymën e gjallë të ndjenjës së lirisë. Të gjithë ne shqiptarët kemi arsye të ndihemi krenarë që Ismail Qemali ishte një politikan i urtë, një burrë i mencur. Në jetë të jetëve u nderofte emri dhe figura e tij!” tha Gjika.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në fjalën e tij përshëndeti të gjithë bashkëkombasit në këtë ditë të madhe për gjithë shqiptarinë. “Kanë provuar të na e çjerrin, grisin flamurin dhe nuk e kemi lejuar. Kanë dashur ta zhdukin, por ne e kemi sjellë përsëri, kanë dashur ta ndryshojnë, por nuk kane arritur ta ndryshojnë apo ta mposhtin. Ja ku e kemi sot këtë flamur krenar. Historia e vendit tonë dëshmon qartë për gjakun e derdhur, për sakrificat e shumta për të sjellë pavarësinë dhe lirinë”, u shpreh Nishani. Kreu i shtetit tha se këtë 100-vjetor ne vjelim punën dhe kontributin e atyre burrave dhe grave të një shekulli më parë që na sollën Pavarësinë, ndaj figura e tyre do të mbetet e ndricuar ndër vite.
Tirana e “pushtuar” nga festa
Të veshur kuq e zi apo me kostume kombëtare, mijëra qytetarë kanë festuar në rrugët e kryeqytetit 100-vjetorin e Pavarësisë.
Atmosfera festive ka nisur që në orët e para të mëngjesit. Thuajse të pushtuara nga qytetarë me flamuj në duar, të rinj e të reja, apo fëmijë të pikturuar kuq e zi, kanë qenë sheshi “Skënderbej”, rruga përgjatë “Bulevardit Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza”.
Për të qenë pjesë e festës së madhe të Tiranës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeqyteti ka mbledhur qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Të jesh pjesë e një jubileu të tillë të jepet fati vetëm njëherë, ndaj dhe të gjithë ndjehen të kënaqur, që janë pjesë e 100-vjetorit të Pavarësisë. Të gjithë ndjehen të përshkuar nga një lloj entuziazmi dhe euforie, ku pa dyshim sundojnë dozat e krenarisë kombëtare.
Pritet torta gjigante në Tiranë
Nderkohe ne Tirane festimet kane vijuar me prerjen e tortes gjigante prej 14 tonesh, te vendosur ne sheshin Skenderbej. Ishte Kryeministri Sali Berisha, homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, presidentja e Kosoves Atifete Jahjaga dhe kryetari i Bashkise se Tiranes Lulzim Basha,ata te cilen ndane edhe copat e para te kesaj torte per te pranishmit.
Top Channel