
Ngjyrat kuqezi dhe Flamuri Kombëtar dominojnë kudo në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë ka bërë që shumë kosovarë të shkojnë në Tiranë e Vlorë për të festuar megjithatë disa të tjerë kanë gjetur mënyrën më të mire, sipas tyre, për ta shënuar këtë ditë.
Kështu çifti Muhamet Krasniqi dhe Ema Berisha u kurorëzuan në sheshin ‘Ibrahim Rugova’. Ky çift nga Prishtina ka disa vjet që jeton së bashku ndërsa kanë zgjedhur këtë 28 Nëntor si ditën ideale për t’u martuar zyrtarisht.
Aktivitetet në sheshin “Nënë Tereza” nuk mbarojnë me kaq. Vullneti i qytetarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë shprehet çdo herë e më shumë. Një nismë simbolike për dhënien e pasaportave shqiptare për qytetarët e Kosovës është e mirëpritur.
Lëvizja për Bashkim, parti joparlamentare që synon bashkimin kombëtar improvizoi se po jeton në një shtet të bashkuar me Shqipërinë. Në atë që quhet Bashkia Prishtinës, zyra e Gjendjes Civile Levizja për Bashkim bëri shpërndarjen e disa pasaportave shqiptare. Aktorja kosovare Leze Qena ishte e para që u pajis me pasaportën shqiptare.
Ndërsa organizimi nga institucionet shtetërore edhe në një ditë si kjo mungon, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sërish vendosi flamurin kuqezi në objektin e Kuvendit të Kosovës. Sipas deputetit Visar Ymeri, ky 100-vjetor e gjen popullin e Kosovës me aspiratën për t’u bashkuar me Shqipërinë.
“Ëndrra e çdo shqiptari në Kosovë është që të bashkohet me kombin amë, të bashkohet e të bëhet një Shqipëri. Sa i përket deklaratave institucionale, vecanërisht të kryeministrit Thaçi, një porosi kam për qytetarët, që atij shihni veprat dhe jo fjalët”, deklaroi zoti Ymeri.
Përveç shitjes se flamujve dhe simboleve kombëtare e cila akoma vazhdon, në sheshin “Nënë Tereza” është vendosur një bukë e gjatë 100 metra e gatuar enkas për këtë ditë. Aktivitete në nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në fakt filluan më datë 27 nëntor nëpërmjet një koncerti madhështor të mbajtur në stadiumin e Prishtinës.
Top Channel