Eshtrat e Yaser Arafat janë zhvarrosur në kuadër të një hetimi për shkaqet e vdekjes së ish-liderit palestinez, bëjnë të ditur burime palestineze.
Ekspertë zvicerianë, francezë dhe rusë do të marrim mostrat për të
kuptuar nëse vdekja e tij, në një spital ushtarak të Parisit në 2004,
ishte për shkak të helmimit.
Franca nisi një hetim për vdekjen në gusht, pasi ekspertë zvicerianë gjetën lëndë radioaktive, polonium 210, në eshtrat e tij. Të dhënat mjekësore të Arafatit tregojnë se ai pati një goditje në zemër, për shkak të çrregullimeve të gjakut.
E veja e tij, Suha, kundërshtoi një autopsi post-vdekjeje në atë kohë, por u kërkoi autoriteteve palestineze të lejojnë zhvarrosjen “për të zbuluar të vërtetën”.
Kreu i komitetit palestinez, që hetoi vdekjen e Arafat, Tawfik al-Tirawi, ka thënë se asnjë gazetar nuk do të lejohet të vëzhgojë zhvarrosjen.
“Për shkak të shenjtërisë së simbolit dhe shenjtërisë së kësaj ngjarjeje, zhvarrosja nuk do të lejohet përpara kamerave të mediave”, tha ish-kreu i shërbimit inteligjent palestinez.
Menjëherë pasi eshtrat të nxirren nga varri, shkencëtarët do të marrin secili më vete mostra, të cilat do të çohen në vendet e tyre respektive, për t’u testuar në lidhje me polonium 210 dhe për substanca të tjera vdekjeprurëse.
Besohet se hetimi do të zgjasë për disa muaj.
Top Channel