Turqi, ekspertë të NATO-s në kufirin sirian

27/11/2012 15:50

Një ekip vëzhgues i NATO-s pritet të mbërrijë të martën në kufirin turko-sirian, për të përgatitur vendosjen e mundshme të raketave të sofistikuara “Patriot” në këtë zonë.

Vendosja e raketave është kërkuar më parë nga kryeministri Erdogan, si një mjet efikas për të garantuar sigurinë në vend dhe NATO është duke marrë ende në konsideratë kërkesën.

Megjithatë, Rusia reagoi ashpër ndaj vendosjes së këtyre raketave në Turqi, duke paralajmëruar se ato vetëm sa do të rrisin tensionin në rajon. Irani pasoi deklaratën e Moskës zyrtare, duke dënuar edhe ai me tonet më të ashpra këtë veprim.

Delegacioni i përbërë nga ekspertë ushtarakë turq dhe ekspertë të tjerë të NATO-s do të përpiqet të studiojë mundësinë e vendosjes së këtyre kapaciteteve në këtë zonë.

Turqia dhe Siria u përfshinë në një seri incidentesh kufitare gjatë tetorit, me Turqinë që bombardoi disa pozicione të ushtrisë së Bashar al-Assad, kur pasi disa predha ranë gabimisht në qytetin kufitar të Akçakales, duke i marrë jetën disa qytetarëve.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, të martën theksohej: “Vendosja e sistemeve mbrojtëse raketore në kufi me Sirinë ka vetëm qëllime mbrojtës, përballë kërcënimeve të ndryshme ushtarakve që vijnë nga ky vend. Këto sisteme nuk do të përdoren për të forcuar një ndalim fluturimi mbi Siri apo çfarëdo manovre offensive në të ardhmen”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA