Tibet, studentët në protestë

27/11/2012 00:00

Një turmë studentësh tibetianë ka protestuar në provincën e Kingait për shkak të shtimit të rasteve të vetëdjegies në shenjë proteste ndaj regjimit të Kinës.

Raportohet se mbi 1 mijë studentë morën pjesë në protestë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga përmbajtjet e një libri. Të paktën 20 studentë u dërguan në spital, raportojnë mediat lokale dhe grupet e aktivistëve.

Katër raste vetëdjegieje u regjistruan gjatë së dielës dhe së hënës në provincat Gansu, Siçuan dhe Kingai. Mediave të huaja u ndalohet të hyjnë në rajonet e Tibetit, gjë që bën të vështirë verifikimin e rasteve të vetëflijimit në mënyrë të pavarur.

Media shtetërore kineze raportoi disa nga djegiet dhe protestat, por jo gjithçka.

“Studentët e Institutit Mjekësor Tsolho protestuan kundër shpërndarjes së një libri që dënon studimin e gjuhës tibetiane dhe e cilëson veprimin e vetëdjegies si “idiot””, njoftoi Radio Azia e Lirë, me seli në SHBA.

Protesta e mëngjesit ishte e qetë, derisa mbërriti policia, raporton radioja, sipas të cilës ngjarjet që rodhën më pas janë të paqarta.

Të paktën 20 persona u dërguan në spital për mjekime të specializuara, shton më tej stacioni radiofonik. Nga katër tibetianët që i vunë flakën vetes në katër ditët e fundit, tre prej tyre kanë vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA