
Të shtëna armësh zjarri dhe shpërthime janë regjistruar në 24 orët e
fundit në veri të Mitrovicës, me autorët e të cilave që janë ende të
paidentifikuar nga policia.
Zëdhënësi i PK për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka deklaruar për “Radio Kosova” se identiteti apo përkatësia etnike e personave të përfshirë në këto ngjarje nuk dihet.
Ndërkohë që mediat serbe kanë cituar kryetarin paralel të Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, që ka deklaruar se: “shënjestër e sulmuesve kanë qenë pjesëtarët serbë të njësisë së zjarrfikësve”.
Pantiç këto akte ua ka atribuar shqiptarëve që jetojnë në lagjen e Kroit të Vitakut, të cilët sipas tij përpiqen të trembin banorët serbë në veri.
Ndërkohë mësohet se Policia e Kosovës dhe njësi të trupave paqeruajtëse të KFOR-it po hetojnë të kundërtën e këtyre pretendimeve.
Tensione në veri të Mitrovicës u regjistruan edhe javën e kaluar. Serbët që jetojnë përtej urës së Ibrit u mobilizuan me anë të sistemit të tyre të alarmit për të ndaluar punimet në shtëpitë e shqiptarëve.
Disa grupe serbësh qëlluan me gurë në drejtim të punëtorëve të kompanisë që po kryente punimet në disa shtëpi, por edhe kundër policëve kosovarë të pranishëm në Kroin e Vitakut.
Gjithashtu, mëngjesin e së merkurës së kaluar një shpërthim i fuqishëm tronditi lagjen në fjalë. Sipas policisë, nga shpërthimi nuk pati dëme në njerëz e as materiale, por edhe pse nuk dihen autorët, duket se qëllimi ishte një: frikësimi i banorëve shqiptarë.
E pikërisht disa orë pas kësaj ngjarjeje, qindra serbë protestuan në veri pranë urës kryesore. Ata shfaqën hapur qendrimin e tyre kundër kthimit të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”.
Protesta ishte organizuar nga Pantiç, i cili ftoi edhe njëherë serbët, që të kundërshtojnë përpjekjet e faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar për vendosjen e shqiptarëve, të cilët sipas tij nuk kanë jetuar kurrë më parë në veri.
Top Channel