
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker viziton të
martën Beogradin, ku do të takohet me krerët e shtetit për një sërë
çështjesh.
Mediat serbe, të cilat citojnë kabinetin qeveritar, bëjnë me dije se Reeker, përgjegjës për rajonin e Evropës dhe Euroazinë, do të takohet kokë më kokë me kryeministrin Ivica Daçiç.
Zyrtari amerikan thuhet se nuk do të mbajë një konferencë për shtyp, në vend të të cilës ekzekutivi beogradas do të lëshojë një komunikatë për shtyp.
Në muajt e fundit është vënë re një seri vizitash të autoriteteve amerikane në Serbi. Vetë Reeker ka qenë atje për herë të fundit në korrik, ndërkohë që në fund të tetorit ishte edhe vetë sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në kuadër të një turi ballkanik.
Atëherë u tha se synimi i vizitave ishte nxitja e dialogut me Kosovën, por nuk përjashtohet mundësia që vizitat e vazhdueshme t’i bëjnë kontrast influencës ruse në Beograd.
Top Channel