Parlamenti i Portugalisë miratoi buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin parashikohen një numër i madh shkurtimesh të reja, pavarësisht protestave të shumta popullore.
Pavarësisht vështirësive, maxhoranca arriti të pengonte rrjedhjet e votave të deputetëve të saj, duke mundësuar kështu kalimin e buxhetit nëpërmjet një shumice të lehtë, pasi të gjitha partitë opozitare votuan kundër.
Buxheti, i cili përfshin rritjen e taksave më të madhe në historinë moderne të Portugalisë, u kundërshtuar ashpër nga protestuesit përpara godinës së parlamentit në Lisbonë.
Shkurtimet e ndjeshme në buxhet u diktuan nga kushtet e vendosura prej Eurozonës, pasi vendi mori një hua madhore prej 78 miliardë eurosh, më parë gjatë vitit.
Lisbona duhet të reduktojë defiçitin buxhetor në 4,5% brenda 2013 për të qendruar brenda objektivave të BE-së, por një arritje e tillë vështirësohet në kushtet e recesionit të thellë që po përjeton vendi.
Ekonomia e Portugalisë pritet të tkurret me 3% deri në fund të vitit, pasi pësoi një rënie prej 1,7% edhe në 2011-n.
Masat e reja përfshijnë edhe shkurtimet në administratë dhe uljen e pensioneve. Në bazë të parashikimeve të Bankës së Portugalisë, në këtë situatë të vështirë në vend, papunësia pritet të kalojë kufirin e 16% në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Top Channel