OECD: Rimëkëmbja globale në rrezik

27/11/2012 00:00

“Një aksion politik i vendosur është i domosdoshëm për të siguruar që bota të mos bjerë sërish në reçesion”.

Kështu ka deklaruar OECD, Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, që përfaqëson vendet më të pasura të botës, por që kanë parë t’u ulen parashikimet për rritjen ekonomike.

Ekonomitë e këtij grupi do të rriten me 1.4 për qind vitin e ardhshëm dhe jo 2.2 për qind siç ishte parashikuar në muajin maj, ka deklaruar OECD. Sipas këtij institucioni, reçesioni i eurozonës do të jetë gjithashtu më i thellë dhe më i gjatë nga sa mendohej më parë.

Grupi ka cilësuar të ashtuquajturin “shkëmbi fiskal” në Shtetet e Bashkuara dhe krizën e borxhit të eurozonës si rreziqet më të mëdha për ekonominë globale.

Shkëmbi fiskal i referohet shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave, që synojnë të reduktojnë nivelet e borxhit të qeverisë së SHBA, që ka gjasa të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm.

“Ekonomia botërore është ende larg daljes nga errësira. Shkëmbi fiskal në SHBA, nëse materializohet mund të thellojë ekonominë tashmë të dobët në reçesion, ndërsa dështimi në zgjidhjen e krizës së borxhit në Evropë mund të çojë në një shok tjetër financiar dhe në një rrënim global”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria.

OECD reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për 34 vende anëtare për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Gjithashtu, organizata rishikoi vlerësimin për ekonominë e eurozonës, që tani besohet se do të tkurret me 0.1 për qind në vitin 2013 dhe nuk do të rritet me 0.9 për qind siç parashikohej në maj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA