Meksikë, vritet Miss Sinaloa 2012

27/11/2012 00:00

Të jesh e dashura e një narkotrafikanti mund të sjellë avantazhe, por
jeta është në fije të perit dhe vdekja të pret në çdo cep të rrugës.

Është pikërisht kjo që i ka ndodhur Susana Flores Gamez, 22 vjeçe, Miss Sinaloa 2012. Modelja ka mbetur e vrarë në një konflikt të armatosur mes banditëve dhe ushtarëve.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, një patrullë ushtarake po kryente kontrolle në zonën Salvador Alvarado të Sinaloas dhe i është afruar një shtëpie, nga e cila kanë ardhur të shtëna kallashnikovi.

Ushtarët janë përgjigjur duke hapur zjarr dhe në këtë moment bukuroshja ka mbetur e vrarë. Ka të ngjarë që shtëpia të përdorej si strehë nga një fraksion i kartelit Sinaloa, i udhëhequr nga El Chapo.

Hetuesit janë të bindur se vajza ishte e fejuara e një elementi të grupit të zjarrit të organizatës kriminale. Susana Flores Gamez, përveç titullit Miss Sinaloa 2012, kishte fituar edhe konkurse të shumta bukurie dhe ishte mjaft e njohur.

“Kolege” të tjera të Gamez në vitet e fundit kanë patur fatin e saj. Të lidhura me bosët e drogës, ato kanë rënë pre e të shtënave të rivalëve, në kurthe të ngritura për hakmarrje apo për superioritet.

Shumë prej bukurosheve lidhen me bosët e krimit sepse suksesi i tyre në konkurset e bukurisë është vendosur pikërisht nga ndërhyrja e tyre. Një fjalë e tyre ose një kërcënim ka mjaftuar për të përcaktuar fatin e një miss-i. Një mbështetje kjo që mund të kushtojë shumë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA