Koreja e Jugut shkarkon gruan e “Petraeus”

27/11/2012 00:00

Koreja e Jugut do të shkarkojë një grua amerikane të përfshirë në skandalin e drejtorit të dorëhequr të CIA-s, David Petraeus, nga një post honorifik. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, që citojnë burime zyrtare.

Jill Kelley ishte emëruar konsulle e nderit e Seulit në muajin gusht. Ishte pikërisht ankesa e Kelley në FBI për email-et kërcënuese që nxorrën në dritë marrëdhënien mes gjeneralit Petraeus dhe biografes së tij, Paula Broadwell.

Një zyrtar koreano-jugor deklaroi se nuk është e përshtatshme që zonja Kelley të mbajë më detyra të tilla për shkak të skandalit.

“Ne po ndjekim proçedurat e parashikuara për shkarkimin e saj nga posti, pasi nuk është e përshtatshme që ajo të marrë përsipër detyra për shkak të skandalit”, deklaroi zyrtari i Ministrisë së Jashtme për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ndërsa një raport i agjencisë “Yonhap” citoi vonë gjatë së hënës zëvendësministrin e Jashtëm Kim Kyou Hyun që tha se zonja Kelley është përpjekur ta përdorë postin e saj për qëllime personale.

Koreja e Jugut ka 15 konsuj nderi në Shtetet e Bashkuara, të cilët raportohet se paguhen 2.500 dollarë në vit për të promovuar vendin.

Posti në fjalë nuk parashikon imunitet diplomatik, por thuhet se zonja Kelley kishte cituar statusin diplomatik kur ishte ankuar në polici për një gazetar që kishte hyrë në pronën e saj.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA