
Vazhdojnë edhe të martën, për të dytën ditë rresht, problemet për
qytetarët grekë që kanë nevojë për ilaçe si pasojë e grevës së
farmacistëve.
Shkak për këtë nismë të këtij sektori është bërë takimi i natës së kaluar mes ministrit të Shëndetësisë, Andreas Lykourentzos dhe përfaqësuesve të tyre, që është mbyllur pa rezultate pozitive.
Sot, në ditën e dytë të grevës 48-orëshe me nismë të Urdhërit Kombëtar të Farmacistëve, farmacitë do të mbeten të mbyllura.
Nuk është hera e parë që farmacitë e shtetit helen hyjnë në grevë, duke shkaktuar probleme tek personat e sëmurë, ose që marrin rregullisht ilaçe.
Më herët gjatë muajit Greqia u përfshi nga një grevë e përgjithshme, e treta që përballoi qeveria Samaras në katër muaj e gjysmë në pushtet dhe e 21-ta në dy vitet e fundit.
Prej orës gjashtë të mëngjesit të 6 nëntorit dhe për 48 orë rrjesht u pezullua puna në administratën shtetërore, shkolla, universitete, banka e gjykata.
Gjithashtu, nuk qarkulloi shumica e mjeteve të transportit publik, anijet qëndruan të ankoruara në porte, ndërsa spitalet punuan me personel sigurie.
Greva organizohej nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, ajo e nënpunësve të sektorit shtetëror, ADEDY dhe të atij privat, GSEE, të cilat kundërshtonin fuqishëm miratimin e projektligjit të masave të ashpra ekonomike dhe reformave administrative të kërkuara nga kreditorët e huaj.
Top Channel