Franca mbështet kërkesën palestineze në OKB

27/11/2012 00:00

Franca do të mbështesë kërkesën e palestinezëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për marrë statusin e vendit “vëzhgues jo-anëtar”.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius deklaroi se Franca ka mbështetur gjithmonë përpjekjet paqësore të palestinezëve për të patur shtetin e tyre ndaj edhe kësaj here do të votojë pro këkesës së tyre.

Palestinezët do të paraqesin kërkesën e tyre për të përparuar nga statusi i “vëzhguesit të përhershëm” në atë “të vendit vëzhgues jo-anëtar” në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që pritet të zhvillojë punimet të enjten ose të premten.

Franca, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, është vendi i parë europian që deklaron haptazi mbështetjen për ambiciet palestineze. Përftimi i statusit të ri prej këtyre të fundit do t’u lejonte palestinezëve të merrnin pjesë në debatet e Asamblesë së Përgjithshme dhe do t’u shtonte shanse për anëtarësim në agjencitë e tjera të OKB-së, edhe pse kjo nuk është automatike dhe as e garantuar.

Kërkesa është paraqitur nga Autoriteti Palestinez me në krye presidentin Mahmud Abas, është mbështetur nga Hamas, që qeveris Rripin e Gazas dhe është përpjekja e dytë e palestinezëve për të përmirësuar statusin e tyre, pas dështimit të kërkesës së paraqitur vitin e kaluar ku kërkohej anëtarësimi si një vend me të drejta të plota, kërkesë kjo që nuk siguroi mbështetjen e nevojshme në Këshillin e Sigurimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA