Egjipt, Mursi tenton të ulë tensionet

27/11/2012 00:00

Presidenti egjiptian Mohammed Mursi është përpjekur të qetësojë krizën që kanë shkaktuar synimet e tij për të shtuar kompetencat.

Në një takim me gjyqtarët, Mursi u tha atyre se një dekret kundër vendimit të tij mund të bëhet, por kjo do të kufizonte synimet e tij, ka bërë të ditur zëdhënësi i presidentit.

Dekreti ka çuar në protesta të dhunshme në mbarë Egjiptin dhe kundërshtarët e presidentit do të vazhdojnë të protestojnë për të kërkuar tërheqjen e tij.

Pas takimit mes zotit Mursi dhe anëtarëve të Këshillit të Gjykatës Supreme, që zgjati 5 orë, zëdhënësi i presidentit Yasser Ali tha se kreu i shtetit u kishte thënë gjyqtarëve se respekton pavarësinë e gjyqësorit.

Zëdhënësi bëri të qartë se presidenti nuk do ta tërheqë dekretin, por tha se ai ka siguruar gjyqtarët se qëllimi i tij do të mbetet i kufizuar në “çështjet e sovranitetit”, për të mbrojtur institucionet.

Nga ana e gjyqtarëve nuk ka pasur një koment, por korrespondenti i BBC në Kairo thotë se formula e kreut të shtetit ka gjasa të pranohet nga ata, pasi më herët kanë dhënë shenja pozitive.

Zëdhënësi i presidentit tha gjithashtu se nuk do të ketë rigjykim për zyrtarët që punuan gjatë regjimit të presidentit Hosni Mubarak, nëse nuk do të ketë prova të reja ndaj tyre.

Ndërkohë, pritet që protestat e opozitës kundër dekretit të vazhdojnë. Mona Amer, një zëdhënës i lëvizjes opozitare Rryma Popullore, deklaroi për “Reuters” se: “Ne kërkuam anulimin e dekretit dhe kjo nuk ndodhi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA