Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Stefan Fule, deklaroi nga Sarajeva se Bosnje-Hercegovina nuk ka mundur të përmbushë angazhimet madhore që mori përsipër në takimin e Brukselit, në muajin qershor.
Si rrjedhojë e këtij dështimi, Fule qartësoi se procesi integrues i vendit ka mbetur pezull dhe data e mundshme e fitimit të statusit të vendit kandidat mbetet e papërcaktuar.
Megjithatë, Fule shtoi se takimi me politikanët boshnjakë rezultoi i frytshëm dhe inkurajoi vendin që të vazhdojë përpara në rrugën e progresit.
”Vazhdimi i dialogut të nivelit të lartë për integrimin është një shenjë e qartë e vullnetit të përbashkët, për të konkretizuar sa më shpejt që të jetë e mundur integrimin. Megjithatë, është e qartë që vendi duhet të zbatojë një sërë reformash të domosdoshme dhe për këtë gëzon mbështetjen më të fuqishme të Brukselit”, deklaroi Fule, nga Sarajeva.
Midis vendeve joanëtare të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi gëzojnë statusin e vendit kandidat dhe kanë nisur negociatat për integrimin. Shqipërisë i është dhënë një status i kushtëzuar i vendit kandidat, ndërsa Bosnja është në kërkim të statusit.
Ende në fazën më të hershme të bisedimeve mbetet Kosova, e dëmtuar nga mosnjohja e pesë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Top Channel