Zëdhënësi i baroneshës Catherine Ashton, Michael Mann ka reaguar ndaj
deklaratave të një dite më parë të zyrtarëve kosovarë kundër EULEX-it,
duke deklaruar se qeveria e Prishtinës duhet ta mbështesë misionin.

“Respektimi dhe forcimi i sundimit të ligjit është pjesë thelbësore e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ndërhyrja politike në proçese gjyqësore është e papranueshme, ky është parim themelor i çdo shoqërie moderne dhe demokratike”, ka deklaruar Mann.

Ai ka vënë në dukje se, autoritetet kosovare e kanë ftuar EULEX-in që të ndihmojë Kosovën dhe për këtë arsye BE pret që Prishtina zyrtare ta mbështesë atë.

“Bashkimi Evropian mbështet plotësisht punën e misionit të tij për sundimin e ligjit në Kosovë. EULEX-i dhe i gjithë stafi i tij, në veçanti gjyqtarët dhe prokurorët, kanë mbështetjen e plotë të 27 shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë më tej zëdhënësi.

Thaçi: I turpshëm paraburgimi i Limajt

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi ashpër ndaj paraburgosjes së deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij Naser Shala, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Krasniqi.

“Askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët e lirisë. Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e mesnatës, fshehtas, tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës të arrestojë luftëtarët e lirisë, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tjerë”, tha Thaçi.

Duke folur nga kazerma “Adem Jashari”, ku FSK shënoi ditën e saj, ai u shpreh se: “Kjo është e padrejtë, kjo është e papranueshme, kjo është turp, kjo nuk është drejtësi, kjo është ndjekje, kjo është fyerja dhe ofendimi më i rëndë që na bëhet në këtë ditë feste”.

PDK: Rishikim mandatit të EULEX

Klasa politike në Kosovë u shpreh e indinjuar ndaj vendimit të gjykatës dhe ndaj misionit EULEX, me kërkesë të të cilit u rihap çështja “Kleçka” dhe u paraburgosën 4 luftëtarët.

Grupi parlamentar i PDK-së, në bashkëpunim me grupet e tjera parlamentare, do të ndërmarrë një iniciativë për të rishikuar mandatin e misionit EULEX në Parlamentin e Kosovës.

Kryetari i këtij grupi, Adem Grabovci deklaroi se, mënyra sesi EULEX po merret me këtë çështje është mënyra më e turpshme dhe degraduese që mund të bëhet ndaj të akuzuarve dhe ndaj institucioneve legjitime të Kosovës.

“Grupi parlamentar i PDK-së beson tek drejtësia dhe pavarësia e gjyqësorit, por drejtësia nuk mund të keqpërdoret në këtë formë, që synon diskretitimin e luftës tonë çlirimtare dhe për barazim të viktimës me xhelatin”, deklaroi Grabovci.

Top Channel