
Lëvizja Vetëvendosje porosit kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, që flamurin kombëtar ta drejtojë përballë Serbisë dhe jo përballë Sali Berishës.
Aktivistë të Vetëvendosjes paraditen e së hënës vendosën flamurin kombëtar në kufirin e Kosovës me Serbinë, përkatësisht në vendkalimin kufitar në Merdarë.
Por me të filluar vendosja e flamurit kombëtar në një shtyllë pranë pikës kufitare në Merdar, Policia e Kosovës ndërhyri për të penguar aktivistët.
Me gjithë këtë ndërhyrje, aktivistët ia arritën që të ngrenë flamurin kombëtar si dhe të vendosnin tabelën “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”, por që u hoqën më pas nga Policia e Kosovës me t’u larguar aktivistët.
Në një komunikatë për media të Vetëvendosjes lidhur me aksionin thuhet: “Është e çuditshme se si në të gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe sheshet e vendit është vendosur në mënyrë masive flamuri kombëtar, madje dhe kryeministri e presidentja janë duke marrë pjesë në aktivitete ku nderohet ai, e i vetmi vend ku u ndalua të vendosej flamuri kombëtar shqiptar është pikërisht kufiri përballë Serbisë”.
Top Channel