Ish-ministri i Brendshëm dhe eurodeputeti austriak Ernst Strasser u paraqit të hënën në një gjykatë në Vienë për t’u përballur me akuzat e korrupsionit.
Procesi kundër tij nisi pasi disa gazetarë britanikë e filmuan në mënyrë sekrete, duke negociuar mbi shumën e shpërblimit, nëse do të lobonte për të ngritur disa çështje në interes të gazetarëve te maskuar si “biznesmenë” në Parlamentin Europian.
Strasser, anëtar i partisë Popullore Austriake, dha dorëheqjen si eurodeputet në mars 2011, pasi “Sunday Times” publikoi se ai kishte pranuar ofertën prej 100 mijë eurosh, për të influencuar ndryshimin e disa ligjeve komunitarë.
Strasser mohon akuzat, të cilësuara prej tij si sajesa.
Procesi i nisur të hënën do të vazhdojë me dhjetë ditë në dispozicion të mbrojtjes, që do të paraqesë dëshmitarët dhe provat e saj.
Verdikti do të jepet në datën 13 dhjetor dhe 56-vjeçari Strasser përballet me dhjetë vjet heqje lirie nëse do të shpallet fajtor.
Top Channel