
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ashpër pas paraburgosjes së deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij Naser Shala, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Krasniqi.
“Askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët e lirisë. Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e mesnatës, fshehtas, tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës të arrestojë luftëtarët e lirisë, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tjerë”, ka thënë Thaçi.
Duke folur nga kazerma “Adem Jashari”, ku FSK shënoi ditën e saj, ai u shpreh se: “Kjo është e padrejtë, kjo është e papranueshme, kjo është turp, kjo nuk është drejtësi, kjo është ndjekje, kjo është fyerja dhe ofendimi më i rëndë që na bëhet në këtë ditë feste”.
Për më tepër, sipas Thaçit, askush nuk duhet të keqpërdorë besimin e institutcioneve legjitime të Kosovës. Pas reagimeve të shumta nga skena politike në Kosovë, edhe përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar ka lëshuar një deklaratë për media.
“Përfaqësuesi special i BE-së e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it. Megjithatë, ai po ashtu dëshiron të theksojë se politikanët dhe institucionet politike duhet, për çështje parimore, t’u shmangen komenteve për rastet që vazhdojnë”, thuhet në deklaratën e Zhbogar.
Një ditë më parë, Fatmir Limajt, që gjatë luftës njihej me nofkën “Komandant Çeliku”, dhe tre ish-pjestarëve të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala, iu caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme, që mori parasysh kërkesën e prokurorit të EULEX-it, Maurizio Salustro.
Top Channel