Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të marrin në dorë situatën dhe të udhëheqin procesin e bisedimeve për të rikthyer paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Sipas Hague, kjo krizë që i kushtoi jetën mbi 160 palestinezëve dhe disa izraelitëve mund të shndërrohet në një pikë force nëse nga negociatat do të arrihet të hiqet bllokada ekonomike mbi këtë territor, në shkëmbim të ndërprerjes së trafikimit të armëve tek Hamas.
Hamas, organizata që udhëheq palestinezët në Rripin e Gazës, konsiderohet si terroriste prej Tel Avivit, SHBA-së dhe vendeve të tjera europiane.
Duke folur në një program të “BBC”, Hague e cilësoi këtë moment si “vendimtar”.
”Ka ardhur momenti për një hap të madh në Lindje të Mesme drejt arritjes së procesit të paqes. Ky mund të jenë shansi ynë përfundimtar, për një zgjidhje të suksesshme të këtij konflikti nëpërmjet formimit të dy shteteve që do të pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vendosen në ballë të këtij procesi, me rëndësi thelbësore për të gjithë botën”, theksoi Hague.
Bisedimet midis Izraelit dhe palestinezëve u ndërprenë dy vjet më parë, për shkak të pamundësisë për të gjetur një marrëveshje me vendbanimet e ngritura nga Tel Avivi në territorin palestinez.
Top Channel