Një tren që udhëtonte nga Shkupi drejt Kosovës u qëllua me gurë pak pas nisjes, raportoi media maqedonase ditën e hënë.
Ndonëse asnjë prej agresorëve nuk është arrestuar, disa media kanë spekuluar nderkohe se sulmi u krye prej shqiptarëve.
Vetëm një ditë më parë, ndërsa kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha e Hashim Thaçi ishin në Shkup në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, mediat maqedonase raportuan për një tjetër incident, të djegies së flamurit maqedonas dhe rrahjes së disa fëmijëve, nga ana e disa shqiptarëve.
Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe asnjë prej agresorëve nuk është arrestuar.
Përsa i përket qëllimit të pazakontë me gurë të trenit në lëvizje, Ministria e Brendshme e Maqedonisë theksoi se asnjë prej udhëtarëve nuk u dëmtua, por disa xhama u thyen dhe udhëtimi u ndërpre. Aktualisht, incidenti është vendosur nën hetim.
Top Channel