
Me uniforma të reja, unike dhe sipas standardeve ndërkombëtare, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan për herë të parë në shënimin e ditës së FSK-së.
Përveç se këto uniforma janë të veçanta, në çdonjërën prej tyre është edhe një element tjetër. Në brendi të saj, e që nuk bie shumë në sy, është e integruar harta e Kosovës, që reflekton integritetin territorial të saj.
Të hënën politikanë, ambasadorë të vendeve të ndryshme dhe qytetarë të shumtë ishin të pranishëm në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, për të shënuar ditën e kësaj force, që përkon edhe me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Parakalimi i djemve dhe vajzave këtu është mesazh i qartë i vizionit tonë që Forca e Sigurisë së Kosovës është duke punuar me përkushtimin më të lartë për të përmbushur standartet e larta të NATO-s, që në një të ardhme të afërt të jemi anëtarë të Aleancës dhe kontribues të paqes dhe stabilitetit në rajon edhe botë”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.
“Presim që NATO të miratojë deklaratën politike ku do të thuhet se FSK ka përmbushur kapacitetet operacionale”, deklaroi më pas Kadri Kastrati, komandant i FSK-së.
Edhe admirali Mark Montgomery, zëvëndësdrejtor i Politikave, Planeve dhe Strategjive në Komandën Amerikane për Europën, përgëzoi FSK-në për punën e bërë deri më tani.
Për punën e bërë gjatë këtij viti, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri për FSK-në, Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati kanë nderuar me medalje disa pjestarë të FSK-së.
Me uniforma të tilla, për herë të parë, një kontigjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë ka shkuar në Tiranë, ku më 28 nëntor do të parakalojë krahas Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për dy muaj “Kontigjenti për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë” është përgatitur enkas për këtë ngjarje.
Top Channel